Mehaj: Serbia me paratë e evropianëve blen armatime ruse e kineze

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka kërkuar bashkëpunim me partnerët dhe shtetet e tjera anëtare të NATO-s për angazhime të tjera të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në misionet paqësuese nëpër botë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut. Mehaj tha se Serbia është duke marrë para nga Evropa dhe duke blerë armatim rus dhe kinez.
Në Seminarin e 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme”.
“KFOR-i ka qenë krah për krahë me ne, na ka ndihmuar në sektorin e sigurisë sepse është zbatuar procesi i planit të tranzicionit, kjo kërkon dhjetë vite dhe bashkëpunim me aleatë dhe partnerë. Plani zhvillohet në tre faza, Kosova ka pasur fatin që të ketë prezencën ushtarake të 17 shteteve… FSK-ja ka arritur kapacitetet operacionale, kam përmbushur premtimin që del nga pakoja legjislative për mbikëqyrjen civile të subjektit ushtarak, e në veçanti harmonizimit, procesin e përgatitjes së Kosovës për anëtarësim në NATO, ky ka qenë fokusi i Kosovës në dy vitet e fundit”, ka deklaruar Mehaj.
Mehaj ka kërkuar integrim të plotë në kartën e Adriatikut
“Si shtet i vogël kërkojmë që të kemi më shumë angazhim në misionet paqësuese nëpër botë, të eksportojmë siguri dhe jo vetëm ta konsumojmë, pra të bashkëpunojmë edhe me partnerët e shtetet e tjera anëtare të NATO-s për t’u angazhuar në operacionet jashtë vendit… Po ashtu jemi fokusuar edhe në iniciativat rajonale, A5 është krijuar për të motivuar dhe angazhuar shtetet drejt integrimit në NATO, e jo për të bllokuar njëra-tjetrën, sepse është filluar me A3, pra kërkojmë integrim të plotë në Kartën e Adriatikut, normalisht do të varemi nga vota e dhënë nga Bosnja”, ka thënë ai.
Ai po ashtu ka deklaruar se duhet ushtruar më shumë presion ndaj Serbisë, e cila siç ka thënë ai, me fondet e marra nga vendet evropiane është duke blerë armë ruse e kineze.
“Serbia është duke u fshehur në zonën e hirtë, duke marrë para nga Evropa dhe duke blerë armatim rus dhe kinez, Serbia duhet ta ndjejë një presion nga shtetet evropiane. Disa shtete të NATO-s dhe evropiane nuk duan që të shkohet shumë larg, në mënyrë që të hiqen drejt BE-së dhe NATO-s në të ardhmen, por duhet ketë një mesazh të qartë nga partnerët se nuk mund të luash me të dyja palët”, tha ai.
Ministri Mehaj tha se Kosova është e përkushtuar për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe, ndërsa shprehu habinë se si disa shtete që po veprojnë kundër direktivave të NATO-s janë pjesë e këtij mekanizmi.
Tutje meha ka deklaruar që çdo investim që bëhet në fushën e mbrojtjesnë Kosovë bëhet sipas standardeve të NATO-s.
“Si munden Bjellorusia dhe Serbia të jenë pjesë e Partneritetit për Paqe, ndërsa Kosova jo. Ne shohim që ne Bjellorusi janë dy divizione ushtarake që kane ndihmuar dhe sulmuar Ukrainën, kurse janë pjesë e këtij Partneriteti. Edhe Serbia, Bosnja njësoj, kurse neve ende se kemi arritur këtë status, ne e dimë çfarë kemi kaluar gjatë luftës, kemi kaluar shumë sfida të vështira dhe tani duhet të shohim dhe kapim mundësi të reja. Çfarëdo që bëjmë ne janë të standardit të NATO-s, çfarëdo që blejmë janë të standardit të NATO-s, e gjithë puna jonë shkon në atë drejtim. Ne kemi ndërtuar një grup ndërministror për procesin e anëtarësimit në Partneritetin për Paqe dhe po përpiqemi të shohim cilat janë të gjitha kriteret që duhet plotësuar për këtë lloj statusi”, ka theksuar ai./21Media
 

Back to top button