Mel C zbulon se ishte sulmuar seksualisht para koncertit të parë të Spice Girls

Melanie C ka zbuluar se ishte sulmuar seksualisht një natë para koncertit të parë të Spice Girls në vitin 1997. Duke folur në podkastin e romancieres Elizabeth Day, ylli tha se sulmi ndodhi gjatë një masazhi në hotel në Turqi.
“U ndjeva shumë e pambrojtur. U ndjeva në siklet dhe pastaj u ndjeva e pasigurt”, tha ajo.
Këngëtarja, emri i plotë i së cilës është Melanie Chisholm, tha se e “varrosi” incidentin “menjëherë” sepse duhej të fokusohej në debutimin e koncertit të Spice Girls.
“Nuk doja të bëja bujë, por gjithashtu nuk kisha kohë të merresha me të”.

Ylli e përshkroi incidentin si një “version të butë” të sulmit seksual dhe tha se donte të ndante detajet për shkak të ndikimit që kishte tek ajo, raporton BBC
Në intervistë, këngëtarja foli edhe për ndikimin e divorcit të prindërve të saj dhe çrregullimin e të ngrënit gjatë kohës së saj në Spice Girls.
“Unë kisha këtë ide se çfarë duhej të isha, të isha në këtë grup, të isha një yll i popit”, tha ajo.
“Fillova të eliminoj ushqimin dhe të jem shumë kufizues me të ngrënit, së bashku me ushtrimin gjithnjë e më shumë deri në atë pikë sa u bë jashtëzakonisht obsesive. Kjo vazhdoi me vite. Kam humbur aq shumë peshë sa u bëra anoreksike dhe periodat më pushuan. Gjithmonë doja të bëhesha nënë dhe nuk isha në gjendje ta kontrolloja këtë gjë që rrezikonte fertilitetin tim”, u shpreh Mel C.
Megjithatë, ajo tha se ndihej “shumë krenare” që kishte kapërcyer çrregullimin e të ngrënit dhe lindi vajzën e saj Scarlett në vitin 2009./21Media

Back to top button