Meloni ndërpret përkthyesen gjatë takimit me Trump

Një përkthyese që punon për kryeministren italiane Giorgia Meloni ka kërkuar publikisht falje pasi me sa duket ka pasur probleme me përkthimin gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
“Ajo që ndodhi është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një përkthyesi, është tmerrësisht e turpshme,” tha Valentina Maiolini-Rothbacher për Corriere della Sera.
Duke vënë re se përkthyesja e saj ishte në vështirësi, Meloni e ndërpreu atë dhe e përktheu deklaratën e saj në gjuhën angleze.
“Meloni kishte të drejtë që më ndërpreu. Ishte një takim shumë i rëndësishëm dhe çdo fjalë kishte shumë peshë,” tha Maiolini-Rothbacher. “Për fat, nuk thashë asgjë marrëzi”, shtoi ajo.
Ajo shpjegoi se ishte hera e parë në Shtëpinë e Bardhë, se nuk mori asnjë ndihmë dhe se rreth saj ishte shumë zhurmë.
Në një moment Trump iu drejtua asaj me fjalët: “Të lutem, të lutem…”
Maiolini-Rothbacher tha se e gjitha ndoshta e ngatërroi atë.
Përkthyesit janë zakonisht të pranishëm në takimet ndërkombëtare, duke qenë se liderët politikë preferojnë të përdorin gjuhën e tyre amtare në komunikimin publik edhe kur flasin mirë gjuhën angleze, siç është rasti me kryeministren italiane.
Maiolini-Rothbacher njihet si një përkthyese me shumë përvojë dhe ka punuar në një sërë samitesh të rëndësishme.