Memeti fajëson Kurtin për përçarje në Luginë
Bartësi i listës “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, Visar Memeti ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për përçarje në Luginë të Preshevës.
Ai pasi ka votuar deklaroi se qytetarët po i bojkotojnë këto zgjedhje.
“Sot është dashur qytetarët të japin fjalën e tyre, fjalën e fundit dhe të tregojnë se kush duhet apo të vendosin se kush duhet të na përfaqësojë neve në Parlamentin e Serbisë. Mirëpo siç po shihet është duke ndodhur e kundërta, ata janë duke i bojkotuar këto zgjedhje dhe një prej arsyeve që është duke ndodhur ky bojkot është përçarja e spektrit politik këtu në Luginë të Preshevës”, deklaroi ai.
Memeti shtoi se spektri politik duhet të reflektojë që kjo qasje është e gabuar edhe duhet të garojë në një listë të vetme.
“Kush sheh televizor këto ditët e fundit e ka shumë të qartë, nuk është nëse e përkrahi unë mendimin e kryetarit tim apo nuk e përkrahi… Po (është faji i Kurtit), sepse është i radhitur në një pjesë të elitës politike këtu në Luginë të Preshevës dhe ka bërë një ndarje të cilën nuk e kemi pasur në vitin 2020”, shtoi ai.
Në Luginë te Preshevës sot votohet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, ku shqiptarët garojnë me dy lista të ndara.