Memli Krasniqi prezanton kandidatin për kryetar të Klinës

 
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka prezantuar sot kandidatin për kryetar të ardhshëm të Klinës, Sokol Bashota.
Krasniqi tha në Klinë se çdo projekt i madh zhvillimor që ka dodhur në këtë Komunë që nga paslufta e mban vulën e PDK-së dhe kryetarit Sokol Bashota.
“Sokol Bashota ka dhënë shembullin e liderit të devotshëm që u rri afër qytetarëve, që angazhohet për ta, që punon mirë dhe fort për ta, pa lënë askënd prapa. Në këto katër vjetët e fundit, stagnimin e Klinës e ka parë secili. Çdokush mund ta ketë një rast për t’u dëshmuar, por askush s’mund t’i ketë dy raste pa dëshmuar asgjë. Prandaj, qytetarët e Klinës po e kërkojnë rikthimin e PDK-së, sepse e dinë që zhvillim për Klinën ka vetëm me PDK-në”, tha Krasniqi.

Ai tha se qytetarët e Klinës e njohin Sokolin e ia njohin përkushtimin dhe më 17 tetor zgjedhjen e kanë të lehtë.
“Ai jo veç që është alternativa më e mirë, por është edhe garancia e vetme për ta ndërtuar një rrëfim të ri dhe për ta kthyer Klinën pa kurrfarë vonese e pengese në rrugën e zhvillimit që sot i mungon”, tha Krasniqi.
Ai tha se Klina është qytet që bën bashkë arkitekturën shoqërore të shoqërisë që bazohet në mirëkuptim, tolerancë, diversitet kulturor e fetar.
“Është shembulli i një qyteti ku diversiteti është pasuri, e bashkëpunimi mundësi. Është po ashtu qytet i pasur e me begati të mëdha, prej Mirushës e Drinit, te trashëgimia kulturore, e potenciali për bujqësi e ndërmarrësi”.
Duke folur për qeverisjen aktuale në Klinë, kreu i PDK-së tha se ajo tashmë është parë nga gjithë qytetarët si e dështuar.
“Në këto katër vjetët e fundit, stagnimin e Klinës e keni parë ju vetë. Asnjë projekt i madh e i rëndësishëm. Asnjë ndërmarrësi për zhvillim. As për rini, as për ekonomi, as për bujqësi, as për infrastrukturë. Kjo nuk mund të vazhdojë edhe më tej kështu”, tha Krasniqi.
Prandaj, ai tha se PDK është e vendosur që kësaj gare t’i hyjë për të fituar e për ta ndalë degradimin.
“Për ta kthyer Klinën në një model që nuk eksporton punëtorë, por produkte e zhvillim.Për ta shndërruar në destinacion të turizmit e kulturës, të bujqësisë e të ndërmarrësisë. Për ta ndërtuar një rrëfim të ri, aq të nevojshëm, ku pushteti nuk i përgjigjet PDK-së, por qytetarëve, ku komuna nuk është veç ndërtesa në qendër të qytetit, por vetëdija e gjithsecilit për gjithsecilin. Që të gjithë së bashku ta nisim një trajektore të re, punët e së cilës do t’i shohim konkretisht, të mirat e së cilës do t’i prekim, e frytet e së cilës do t’ua lehtësojnë jetën të gjithë qytetarëve të kësaj komune. Unë e di dhe besoj në potencialin tonë. Garanci për këtë e kemi Sokolin. Por, jo vetëm Sokolin. I kemi të rinjtë e të rejat që do bëhen pjesë e këtij rrugëtimi. I kemi qytetarët që e duan Klinën të zhvilluar e që e dinë se zhvillim për Klinën ka vetëm me PDK-në”, tha Krasniqi.
Ndërsa, kandidati për kryetar të ardhshëm të Klinës, Sokol Bashota, tha se Klina duhet t’i kthehet zhvillimit pasi në vitet e fundit ka degraduar nga qeverisja e keqe.
“PDK kur ka ardhur në qeverisje të Klinës buxheti për investime kapitale ka qenë vetëm 650 mijë euro. Ne kemi arritur me sjell shumë projekte kapitale e me rritë buxhetin e Komunës. Ndërsa sot, edhe pse Komuna ka buxhet shumë më të madh, nuk është ndërtuar as edhe një shkollë. Për 4 vite nuk kanë arritë as një Zyre të Gjendjes Civile me përfundu. Kanë shtruar rrugë me 2 centimetra trashësi asfalti e vetëm 2 metra gjerësi. Prandaj në tetor duhet të ndalojmë degradimin e Klinës dhe ta rikthejmë qeverisjen e mirë dhe zhvillimore. Katër parti politike që u bënë kundër PDK-së në zgjedhjet e kaluara nuk kanë arritur për 4 vite të bëjnë as sa kemi bërë ne për 2 vite”, tha Bashota./21Media

Back to top button