Merr detyrën kryeministrja më e re në botë

Kryeministrja e Finlandës me e reja në botë

Parlamenti i Finlandës miratoi të martën  emërimin e 34-vjeçares  nga Partia Social Demokrate Sanna Marin si kryeministrja më e  re në botë.

Nga 200 anëtarët e parlamentit, 99 votuan pro dhe 70 kundër emërimit të saj. Tridhjetë deputetë munguan.

“Brenda katër viteve ne nuk do ta kompletojmë Finlandën, por ajo mund të bëhet më e mirë … Unë dua të ndërtoj një shoqëri në të cilën çdo fëmijë mund të bëhet çka do që dëshiron dhe në të cilën çdo qenie njerëzore mund të jetojë dhe të plaket me dinjitet,” shkroi Marin në Twitter .

Deri më tash, ajo ka qenë ministre e Transportit, ndërsa paraprakisht ka shërbyer edhe si deputete dhe zëvendëskryeministre, përcjell portali rtv21.tv

Qeveria e Finlandës dha dorëheqjen javën e kaluar pasi Partia e Qendrës tha se kishte humbur besimin tek Kryeministri Demokrat Social Antti Rinne.

Pas miratimit të parlamentit, presidenti i Finlandës pritej të emërojë kabinetin e koalicionit pesë-palësh të Marin, i përbërë nga 12 ministre femra dhe 7 burra.

Por pas festimeve, përçarjet e thella mbetën midis partnerëve kryesorë të koalicionit, Social Demokratëve të Marin dhe Partisë së Qendrës.

Marin do të luftojë për të mbrojtur pikëpamjet e saj të majta kundër Partisë Qendrore, e cila dëshiron veprime për të rritur punësimin. Grevat vazhduan ndërsa ajo mori detyrën./21Media

Back to top button