Merz: Ukraina të bëhet anëtare e asociuar e BE-së, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor vëzhguese

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka propozuar që Ukraina të marrë një rol të drejtpërdrejtë në strukturat e Bashkimit Evropian si hap i përkohshëm drejt anëtarësimit të plotë. Sipas tij, kjo mund të ndihmojë edhe në arritjen e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës me Rusinë. Ndërkohë për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Kosova, ai ka propozuar që ato ta marrin një status më të ulët – si vëzhguese.
Në një letër drejtuar liderëve të BE-së, të siguruar nga Reuters, Merzi propozoi krijimin e një statusi të ri si “anëtare e asociuar” për Ukrainën. Ky status do t’u mundësonte zyrtarëve ukrainas të marrin pjesë në samitet e BE-së dhe në takimet ministrore, por pa të drejtë vote.
“Nuk kemi më kohë për vonesa të tjera”, ka shkruar Merz në letrën drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentit të Qipros, Nikos Christodoulides.
“Tani është koha që integrimi i Ukrainës në BE të vazhdojë me guxim përmes zgjidhjeve inovative, si hapa të menjëhershëm përpara”, thuhet më tej në letër.
Merzi i kishte diskutuar këto ide me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderë të tjerë evropianë gjatë një samiti joformal në Qipro në muajin prill.
“Qëllimi im është që së shpejti të arrihet një marrëveshje”, shkroi ai, duke theksuar se kjo nuk do të ishte thjesht një formë e lehtësuar anëtarësimi.
Sipas planit gjerman, modeli i ri do t’i mundësonte Ukrainës të ketë një komisioner evropian pa portofol dhe pa të drejtë vote, përfaqësues të asociuar në Parlamentin Evropian pa të drejtë vote, si dhe të drejtën për t’iu drejtuar mbledhjeve të rëndësishme të BE-së. Paralelisht, Ukraina do të vazhdonte rrugën drejt anëtarësimit të plotë duke zbatuar reforma të brendshme, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe të drejtat e pakicave.
Ndërkohë, sipas këtij plani, vende si Moldavia dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk do ta merrnin statusin e anëtarit të asociuar, por vetëm një status më të ulët si vëzhguese në institucionet e BE-së.
“Mund të imagjinojmë seanca të rregullta të përbashkëta të Komisionit Evropian ose Parlamentit Evropian, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë një zyrtar gjerman.
Këtyre vendeve do t’u ofrohej gjithashtu qasje më e madhe në programet e BE-së dhe në sektorë të tregut të përbashkët, ndërsa përparojnë me reformat e brendshme, si pjesë e një procesi të integrimit gradual.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?