Mesazhi i ministrit Latifi për bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë për festat e fundvitit

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar mesazhin e ministrit Rifat Latifi për bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë për festat e fundvitit. Ai u bëri thirrje mërgimtarëve dhe të gjithë qytetarëve që të vaksinohen me vaksinën anti-COVID.
“Të festojmë me kujdes, të tregohemi të përgjegjshëm për familjen dhe shoqërinë dhe të mos harrojmë se ne i kemi humbur rreth 3000 njerëz tanë nga COVID-19. Mos të kemi numra të tillë asnjëherë më në Kosovë. Dhurata më e mirë që ju mund të sillni këtë vit në Kosovë është që të jeni shëndoshë, të vaksinuar dhe të ktheni shëndoshë andej prej nga vini”, thuhet në mesazhin e Latifit.
Ministri i Shëndetësisë theksoi se edhe sivjet festat janë më ndryshe pasi që pandemia ende s’ka përfunduar.
“Por, tash kemi në duart tona forcën dhe mënyrë më të mirë të mbrojtjes-vaksinimin. Kjo është mënyra më e sigurt që në të mbrohemi nga vdekjet dhe komplikimet e rënda shëndetësore të COVID-19. Tani keni mundësinë të vaksinoheni me dozën e dytë ose të tretë, në aeroportin e Prishtinë, në të gjitha pikat kufitare si dhe në qendrat e vaksinimit në secilën komunë në tërë Kosovën. Ju lus ta shfrytëzoni këtë mundësi”, tha ai.

Back to top button