Mesdheu digjet, veriu përmbytet
Temperaturat përvëluese në Greqi e Turqi, vërshime në Gjermani
Temperatura që kanë arritur deri në mbi 40 gradë Celcius kanë mbizotëruar ditëve të fundit në Greqi dhe në Turqi. Autoritetet greke i kanë paralajmëruar qytetarët që të qëndrojnë brenda.
Temperaturat në kryeqytetin Athinë kanë arritur deri në mbi 44 gradë Celcius. Autoritetet e mbrojtjes civile kanë paralajmëruar edhe për rrezik të ndezjes së pyjeve, ndërkohë që meteorologët thonë se temperatura të ngjashme do të zgjasin edhe gjatë ditëve në vazhdim, shkruan rtv21.tv
Edhe jugu i Italisë dhe juglindja e Evropës janë përfshirë nga një mot përvëlues, ndërkohë që rajonet qendrore të kontinentit janë ndeshur me kontraste të thella të motit.
Verilindja e Gjermanisë u mbyt të enjten nga shiu. 141 mm shi ranë në Berlin, tre herë më shumë se mesatarja e muajit qershor për këtë vend. Reshjet e dendura bënë që metroja e kryeqytetit gjerman të mbushej me ujë.
Ekipet e zjarrfikësve kanë ndihmuar në heqjen e ujit me pompa, por qyteti përjetoi edhe probleme të tjera. Në disa pjesë të tij trafiku u bllokua keqas nga shirat e furishëm.
Meteorologët parashikojnë një fundjavë me stuhi për Gjermaninë, e sidomos zonat lindore të saj. Një front i presionit të ulët i përqendruar tani në jug të detit Baltik dhe të tjerë të lidhur me të do të ndikojnë sipas ekspertëve në çrregullimin e kushteve atmosferike anembanë pjesës më të madhe të veriut dhe rajoneve qendrore të “Kontinentit të Vjetër”.
Shira të fortë parashikohen në perëndimin të Polonisë e në Francë, ndërsa të shtunën ky front zhvendoset ngadalë në Skandinavi, por juglindja e Evropës mund të vazhdojë të shijojë ditët me diell, të paktën edhe për një kohë./21Media