Policia nis hetimet për tragjedinë në Malishevë, ku vdiqën babai me dy fëmijët
Policia e Kosovës ka nisur hetime lidhur me tragjedinë që ndodhi dje në Malishevë, ku tre persona vdiqën si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit.
Të vdekur kanë mbetur babai 35-vjeçar dhe dy fëmijët e tij të moshës 9 dhe 12 vjeç.
Rasti ka ndodhur në lagjen “Mirëdita”, ku është raportuar se një banesë është përfshirë nga zjarri.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa ekipi zjarrfikës ka lokalizuar zjarrin. Pas kontrollit brenda në banese janë gjetur tre persona, dy meshkuj dhe një femër (dy të mitur) të cilët janë dërguar në Qendrën Emergjente ku është konstatuar vdekja e tyre. Me vendim të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.
Prokurorja Ardita Beqiri-Hyseni ka deklaruar se hetimet janë në fazë fillestare.
Shkolla “Ibrahim Mazreku” në Malishevë e ka shpallur të premten ditë zie, si dhe është pezulluar edhe procesi mësimor.
“Në koordinim me Drejtorinë e Arsimit, Këshillin e Prindërve dhe Këshillin e Mësimdhënësve, njoftojmë të gjithë nxënësit, prindërit dhe stafin e SHFMU “Ibrahim Mazreku” – Malishevë, se në shenjë solidarizimi dhe respekti për ndarjen tragjike nga jeta të nxënësve tanë të klasës së tretë: Naile dhe Kujtim Berisha, si dhe të prindit të tyre, Ilir Berisha, dita e premte, më 17.04.2026, shpallet: Ditë Zie në shkollën tonë. Gjatë kësaj dite pezullohet procesi mësimor.”, thuhet në njoftimin e kësaj shkolle.