Mesiq: Serbia s’mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj

Ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq ka deklaruar se askush në Serbi nuk guxon të thotë se Kosova është çështje teknike për Serbinë.
Ai për Rel ka deklaruar se Serbia, as nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, as nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje të saj.
“Rrëfimet se ajo është “zemra e Serbisë” ose “shpirti i saj” mund të sjellin disa kujtime, por gjërat duhet shikuar në kontekstin aktual. Serbia ka mundur të ketë një politikë ndryshe ndaj Kosovës. Në fund, Serbia ndoshta ka mundur të pranojë bashkëpunimin federal me Kosovën, marrëdhënie konfederale. Shumë ka mundur të bëhet. Por, pas luftës, e cila i është imponuar Kosovës, këto tani janë iluzione. Nuk ka më mundësi që të ndryshohet diçka në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.”, ka thënë ai.
Mesiq ka shtuar se është realitet ekzistenca e Kosovës.
“Kosova është e njohur në masë të madhe. Të tjerët që nuk e kanë pranuar, do ta bëjnë këtë. Kjo shkon me rrjedhën e vet. Do të ishte mirë sikur të kishte më shumë informacione në Serbi, që shoqëria të kuptojë se politika e Sllobodan Millosheviqit ka qenë e gabuar dhe tani duhet pranuar realiteti. Dhe, realitet është pavarësia e Malit të Zi, pavarësia e republikave të tjera që janë bërë të pavarura pas rënies së Jugosllavisë, por realitet është edhe ekzistenca e Kosovës. Nëse Serbia, për arsye të brendshme, nuk mund ta njohë Kosovën, ajo mund të bëjë diçka tjetër. Mund të lejojë që në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës të kalojë kapitali, qytetarët, kompanitë, të bëhet bashkëpunim ekonomik, njerëzit të mos kenë probleme për të kaluar kufirin, të stabilizohet… atëherë edhe zgjidhjet do të jenë më të mira.”, ka thënë tutje ai.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button