Messi: Ky është Botërori im i fundit, dua ta realizoj ëndrrën time të madhe

Duke folur përpara ndeshjes së parë të Argjentinës në Kupën e Botës 2022 kundër Arabisë Saudite, Lionel Messi ka pranuar se do të përpiqet ta përmbushë ëndrrën e tij për të fituar Kupën e Botës.
Ish-kapiteni i Barcelonës fitoi trofeun e tij të parë të madh me Argjentinën vitin e kaluar, kur ai i udhëhoqi ata në triumfin e Copa America 2021.
Dhe, tani, duke shkuar në Kupën e Botës për herë të pestë në karrierë, ai pranon se do të jetë e fundit e tij dhe synon të përmbushë ëndrrën më të madhe.
“Ky Botëror është i veçantë për mua sepse është i fundit. Do të përpiqem të përmbush ëndrrën time të madhe”, tha superylli i PSG-së në konferencën për shtyp para ndeshjes.
Ai më tutje shtoi se ndihet shumë mirë fizikisht dhe se është gati për ta ndihmuar vendin e tij.
“Ndihem shumë mirë fizikisht. Mendoj se po arrij në një moment të mrekullueshëm, si personalisht ashtu edhe fizikisht. Unë nuk kam asnjë problem. U stërvita veçmas sepse pata një goditje, por nuk ka asgjë të çuditshme.”, tha ai.
Messi ishte afër fitimit të Kupës së Botës në vitin 2014, kur skuadra e tij u mund nga Gjermania në finale.
E tërhequr në Grupin C, Argjentina e Messit do të përballet nesër me Arabinë Saudite përpara se të përballet me Meksikën, e menaxhuar nga ish-trajneri i Barcelonës, Gerardo ‘Tata’ Martino, ndërsa në fund ata do të përballen me skuadrën e Polonisë së Robert Lewandowskit.

Back to top button