Mësuesit kosovarë kanë nevojë urgjente për asistentë

Një klasë me 30 nxënës, në mesin e tyre një fëmijë autik i shkallës së lehtë dhe një tjetër me disleksi ishin në përgjegjësinë e V. SH mësueses së klasës së katërt në një shkollë fillore në Fushë Kosovë, deri në muajin maj të këtij viti.
Nga ky muaj (qershor) ajo gëzon mbështetjen e një asistenteje e cila është e angazhuar vetëm tri herë në javë. Mësuesja për portalin rtv21.tv ka thënë se kjo ka ndikuar edhe në suksesin e nxënësve në fjalë.
“Asistentja ma ka lehtësuar punën shumë për 3 ditë ajo qëndron tërë kohën në klasë dhe e përkushtuar maksimalisht me fëmijët në fjalë. Fëmijët e kanë pranuar mirë asistenten dhe e rëndësishme është që fëmijët tash e tutje punojnë paralelë me nxënësit tjerë dhe në vlerësimet e fundit që kemi realizuar këta nxënës kanë arritur një sukses më të madh në mësime.”, ka thënë ajo duke pranuar se do të ishte edhe më mirë nëse asistentja do të ishte e angazhuar çdo ditë pasi që kjo do ia lehtësonte punën asaj, por edhe do të ndikonte në suksesin e fëmijëve.
Një gjë e tillë po del të jetë vështirë e realizueshme, pasi që në gjitha shkollat publike të Kosovës janë të angazhuar vetëm 180 asistentë për 3 mijë e 81 nxënës me nevoja të veçanta që janë të regjistruara në shkolla të rregullta. Këto statistika janë bërë të ditura për portalin rtv21.tv nga Ministria e  Arsimit. Kjo i bie që një asistent është i angazhuar për 17 fëmijë me nevoja të veçanta.
Nga ministria kanë paralajmëruar punësimin edhe të 20 asistentëve të tjerë në muajt në vijim, ndërkohë në vitin 2023 do të punësohen edhe 300 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta arsimore./21Media

Back to top button