Meta fton Ramën dhe Bashën në presidencë

 

Pak ditë nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese dhe e Kodit Zgjedhor, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka nisur procedurat për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.

Ditën e premte, 4 shtator, palët do të japin mendimin e tyre për datën më të pranueshme për zhvillimin e zgjedhjeve. Kreu i shtetit në ftesë është kujdesur të saktësojë se në rast se kryetarët e partive e kanë të pamundur të marrin pjesë ata do të përfaqësohen me një person të autorizuar.

I pari në selinë e presidencës është kërkuar të jetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Vetëm një orë pas bisedës me mazhorancën, Meta ka ftuar në takime dhe opozitën. Në orën 12:00 në presidencë është ftuar të marrë pjesë Lulzim Basha apo dhe personat e autorizuar prej tij.

Sipas ndryshimeve të reja, zgjedhjet zhvillohen në periudhën 15 prill – 15 maj, kjo për të mos ndikuar në sezonin turistik. Por një tjetër periudhë mbetet dhe 15 tetor deri në 15 nëntor.

Deri më tani duket se palët kanë rënë dakord që votimet të mbahen në periudhën prill – maj. Sipas kodit zgjedhor data e zgjedhjeve duhet të shpallet 9 muaj para mbarimit të mandatit të kuvendit aktual

Ndërkaq ambasadorja e SHBA përmes një shkrese dërguar partive kryesore u kërkon forcave politike ti bëjnë veting kandidatëve të cilët duhet të jenë me integritet moral. Sipas saj liderët e partive janë përgjegjës për përzgjedhjen./oranews

 

Back to top button