Meta: Pandemia në vendin tonë po del jashtë kontrollit

 

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, duke iu referuar të dhënave të fundit për infektimet e reja me COVID-19 në Shqipëri, ka thënë se pandemia po del jashtë kontrollit.

Meta ka thënë se në 24 orët e fundit, është regjistruar numri më i lartë i qytetarëve të infektuar, krahasuar me çdo ditë tjetër.

Ai gjithashtu ka thënë se një tjetër shifër tronditëse është shënuar edhe sa i përket jetëve të humbura.

“Kapacitetet spitalore për të pritur shtrimet e reja ditore, rezultojnë të tejmbushura. Ndërkohë veç propagandës, asnjë plan nuk ka për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë. Duke shprehur shqetësimin më madh për këta tregues të dhembshëm, i bëj thirrje Qeverisë të mos bëjë sehir dhe as mos t’i trajtojë qytetarët, si numra për statistika ditore, duke i lënë në mëshirë të fatit. Çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë të gjithë asistencën e domosdoshme këshillimore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, për të përballuar pasojat e rrezikshme të pandemisë. Është e patolerueshme të numërohen çdo ditë të infektuarit dhe jetët e humbura dhe të mos merret asnjë masë për të frenuar COVID-19”, ka shkruar Meta në Facebook.

Tutje ai ka shkruar se nevojitet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, përmirësuar kushtet në spitale, mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës.“Çdo vonesë është kosto e madhe për qytetarët, shëndetin dhe jetën e tyre dhe kjo është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme. Gjithashtu, ju bëj apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë me rigorozitet rregullat antiCOVID”.

Pandemia COVID-19 në vendin tonë po del jashtë kontrollit.
Në 24 orët e fundit, është regjistruar numri më i lartë i…

Posted by Ilir Meta on Friday, 5 February 2021

Vazhdon të rriten shifrat e infektimeve të reja dhe viktimave nga Covid-19 në Shqipëri. Sipas asaj që raporton Ministria e Shëndetësisë, nga 4270 testime në 24 orët e fundit, janë regjistruar 1089 raste të reja, ndërsa 15 qytetarë kanë humbur jetën./21Media

Back to top button