Meta pasi Berisha u shpall “non-grata” në SHBA: “Fletërrufe” e porositur

 

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, reagoi pasi ish-kryeministri Sali Berisha u shpall person “i padëshiruar” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se ishte një “fletërrufe” që është porositur në një kohë kur nuk është mbyllur zyrtarisht procesi zgjedhor.

“Si President i Republikës së Shqipërisë ndjej përgjegjësinë e lartë të ndaj me Ju vlerësimin tim lidhur me “fletërrufenë” e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z. Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit. Kjo ‘fletërrufe’ jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik”, shkroi Meta.

Duke bërë thirrje të gjithëve të zbatojnë me rigorozitet ligjin, si dhe të gjitha kërkesat e Kodit Zgjedhor lidhur me procesin e 25 prillit, pasi sipas Metës kjo është dhe mbetet çështja më e rëndësishme aktualisht në Shqipëri, ai publikoi edhe mesazhin e solidaritetit, që i ka dërguar Berishës dhe familjes së tij.

“Përshëndetjet e mia më të sinqerta dhe solidaritet për Ju, Lilin dhe Familjen tuaj pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër. Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë. Të fala!”, thuhet në mesazhin e Metës për Berishën.

Në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, thuhet se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.

Sipas, DASH-it, ish-kryeministri shqiptar, ka përdorur pushtetin e tij për përfitimet dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.

Rrjedhimisht, u është ndaluar hyrja në SHBA, Berishës, bashkëshortes së tij, Liri Berisha, djalit të tij, Shkelzen Berisha dhe vajzës, Argita Berisha Malltezi./21Media

Back to top button