Meta: Shqipërisë i duhet më shumë përgjegjshmëri dhe dialog

Sipas Metës, të gjithë duhet të ndjehemi mirënjohës  për projektin historik

Nën kujdesin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit, u organizua një veprimtari me rastin e Ditës së Evropës.

Në aktivitetin e zhvilluar në mjediset e jashtme të Sallës së Seancave Plenare, morën pjesë deputetë, ministra, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, si edhe shumë të rinj e të reja.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se të gjithë duhet të ndjehemi mirënjohës ndaj baballarëve themelues të këtij projekti historik, të cilët treguan që kishin vizion të qartë, kurajë të fortë e vendosmëri të palëkundur për ta çuar përpara këtë projekt ambicioz.

“Jam shumë i lumtur sot që kemi mes nesh të reja e të rinj, sepse e ardhmja i përket pikërisht këtij brezi të ri. Shpresat, ëndrrat e tyre për të ardhmen duhet të motivojnë e të rrisin peshën e përgjegjësisë tonë politike e qytetare më shumë. Vetë Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin e madh që të bëhet shembull për brezin e ri, duke u kthyer në shtëpinë e demokracisë të vërtetë, atë të dialogut politik, të tolerancës e mirëkuptimit dhe të përgjegjshmërisë së lartë”, tha Meta.

Gjithashtu ai deklaroi se Shqipërisë i duhet sot më shumë përgjegjshmëri dhe dialog, dhe se asnjëherë nuk është vonë për të gjetur një zgjidhje të përgjegjshme.

“Në emër të ëndrrave e dëshirave të këtyre të rinjve e të rejave të mrekullueshëm, vendit tonë i duhet më tepër përgjegjshmëri e jo më shumë egoizëm. Më tepër vetëmohim, më tepër dialog e më pak arrogancë. Më tepër kulturë kompromisi dhe më pak kokëfortësi. Më shumë qetësi. Më shumë stabilitet. Më shumë investime e natyrisht më shumë mundësi punësimi dhe barazi sociale. Duke vendosur interesat e vendit dhe të ardhmen e tij të përbashkët evropiane, si prioritet kryesor i gjithë agjendave të veçanta politike, asnjëherë nuk është vonë të gjejmë zgjidhjen e përgjegjshme e gjithëpërfshirëse, me qëllim që Shqipëria të ecë denjësisht drejt anëtarësimit të saj në BE”, shtoi Meta.

Ndërsa, ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, tha se marrja e statusit të vendit kandidat në vitin 2014 ishte një arritje historike dhe se marrja e rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave ishte një tjetër hap përpara në procesin e integrimit.

Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, tha se 60 vjet më parë Traktati i Romës krijoi institucionet evropiane ashtu si i njohim ne sot dhe ëndrrat dhe vizioni strategjik i atyre që kanë qenë përpara nesh u bënë realitet.

“BE ende përballet me shumë sfida dhe kërcënime. Por në këtë moment të historisë bota ka nevojë për një Evropë shumë të fortë, më shumë se kurrë më parë. Ne nuk duhet të harrojmë asnjëherë që BE përfaqëson procesin më të suksesshëm të integrimit rajonal dhe mbetet kontinenti më i pasur në botë”, u shpreh Vlahutin.

Back to top button