Meta takon Kryeministrin malazez, mbështet projektet për shqiptarët
Shqipëria mbështet me vendosmëri rrugën e qartë evropiane dhe euro-atlantike
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta gjatë vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi është pritur në një takim edhe nga kryeministri malazez, Dushko Markoviç.
Përmes një postimi në facebook, Meta është shprehur se ka mirëpritur me shumë kënaqësi angazhimin e kryeministrit malazez, Dushko Markoviç për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe për projektet e reja konkrete që do të nisin së shpejti në mbështetje të zonave në Malin e Zi ku banojnë shqiptarët.
Ndërkaq, Meta ka theksuar se Shqipëria mbështet me vendosmëri në rrugën e qartë evropiane dhe euro-atlantike që ka zgjedhur Mali i Zi.
Gjatë vizitës në Mal të Zi, Meta është takuar dhe me presidentin Milo Gjukanoviç dhe kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviç, raporton oranews.
Më këtë të fundit ka diskutuar edhe rreth reformës zgjedhore.
“Theksova se çdo reformë zgjedhore në Malin e Zi duhet të ketë në konsideratë përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në nivel qendror dhe lokal”, ka shkruar Meta në facebook.