Mickoski: Na vjen keq për incidentin, nuk duam të përsëritet

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski pas takimit me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurtin tha se i vjen keq për incidentin me presidenten e Kosovës në aeroportin e Shkupit, megjithatë theksoi se janë procedura nëpër të cilat duhet të kalojnë të gjithë përfshirë edhe atë si kryeministër te vendit.

“Sipas personave zyrtarë të aeroportit është se ndiqen procedura kur kemi fluturime komerciale, këtyre procedurave i nënshtrohem edhe unë si kryeministër edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut.
Kjo për ne shkaktoi një ndjenjë dhe na vjen keq dhe nuk duam të përsëritet! Unë personalisht theksova se presidentja e Kosovës është e mirë se ardhur dhe të gjithë qytetarët e tjerë nga Kosova… Madhërdhëniet e mira fqinjësore janë dy drejtime. Me Kosovën dua të kemi marëdhënie të mira dhe të frytshme”, tha Mickonski.

Ndërsa, kryeministri Kurti u shpreh se autoritetet e Maqedonisë së Veriut, krerët shtetërorë këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë një raport zyrtare që do ta zbardhë këtë çështje në tërësi dhe hollësi edhe që të kuptohet saktësisht se çfarë ka ndodhur edhe të mos  përsëritën këto raste.

Ai u pyet nëse Kosova mban qëndrimin se kjo ngjarje ishte provokim. Por, Kurti tha se këtë mund ta ketë thënë ndonjë “qytetar”, por jo edhe institucionet e Kosovës, duke theksuar se Ministria e Jashtme dhe Diasporës e Kosovës përmes njoftimeve, ka shprehur qëndrimin e Qeverisë.

Por, ngjarjen e ka cilësuar si provokim institucioni i Presidencës së Kosovës.

“Situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”, tha Presidenca përmes një reagimi më 2 gusht.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Pas takimit Mickoski-Kurti, është zhvilluar konferenca e përbashkët për shtyp ku Mickoski ka thënë se Kosovën do të forcohen lidhjet ekonomike, bilaterale dhe do të punohet ngushtë për të ndërtuar rrugë të reja, duke marrë si shembull rrugën Shkup-Bllacë dhe Tetovë-Prizren. Mickoski ka thënë “Si qeveri e re e kemi qëllim që të ndërtojmë marrëdhënie të shëndosha të dyanshme. Kemi rënë dakord që të rrisim komunikimin por edhe tregtinë e përbashkët. Kemi biseduar për rrugën Bllacë-Shkup, por edhe për lidhjen e Tetovës me Prizrenin” tha mes tjerash Mickoski./21Media


Kurti pritet nga Mickoski në Shkup, nis takimi bilateral

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur në takim nga homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski.

Sipas zyrës së Kryeministrit pas takimit Kurti dhe Mickoski do të deklarohen për media.

Kryeministri Kurti ë këtë vizitë po shoqërohet nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ajo e Drejtësisë Albulena Haxhiu si dhe i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.


​Kurti sot viziton Maqedoninë e Veriut

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të qëndrojë sot për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Ai gjatë kësaj vizite, e cila është dakorduar më 20 korrik, do të shoqërohet nga ministra të kabinetit qeveritar.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë për portalin rtv21.tv se në agjendë të bisedimeve të kryeministri Kurti me homologun e tij Hristian Mickovski do të jenë raportet bilaterale Kosovë-Maqedoni e Veriut, me interes të veçantë projektet infrastrukturore.

Back to top button