Kaloni te përmbajtja kryesore

​Mijëra dronë kamikazë Skydagger zbarkojnë në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për mbërritjen e një kontingjenti të madh të dronëve luftarakë kamikazë të tipit Skydagger në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Sipas Kurtit, mijëra njësi të këtyre dronëve FPV të teknologjisë së lartë janë dërguar më herët sesa ishte paraparë, duke shënuar një moment të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Kontejnerët me mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger mbërrinë sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Dhjetëra ushtarakë të FSK-së tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre. Kontrata është nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar me Kompaninë e mirënjohur turke Baykar, që është kompani amë e prodhuesit Skydager. Dronët Skydagger ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët. Këta dronë kamikaz të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger të prokuruar nga ne janë dronë luftarak të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut”, shkruan Kurti në Facebook.

Dronët u transportuan nga aeroporti me kamionët multifunksional Rheinmetall 8×8, të cilët janë pjesë e një tjetër investimi të rëndësishëm në modernizimin e FSK-së. Prej tyre, 10 janë të blerë nga Qeveria e Kosovës, ndërsa 5 të tjerë janë donacion.

“Me blerjen e këtij kontingjenti të fluturakeve pa pilot, krahas TB2 Bayraktar dhe fluturakeve Puma po vazhdojmë të ngrisim dhe shtojmë fuqinë goditëse të ushtrisë sonë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore. Dronët u ngarkuan në kamionët multifunksional Rheinmetall 8×8 që i patëm marrë vitin e kaluar, 15 sosh gjithsej, 10 të blera nga ne dhe 5 donacion”, shkroi Kurti.

Ky zhvillim vjen në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të Qeverisë për ta bërë FSK-në një forcë profesionale, të pajisur me teknologji të avancuar dhe të gatshme për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë së kohës.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button