Mike Pompeo anulon vizitën në Evropë

 

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka anuluar udhëtimin dy-ditor në Evropë.

Këtë e ka bërë të ditur Departamenti i Shtetit.

Pompeo kishte planifikuar të vizitojë Brukselin dhe Luksemburgun. Ky mund të kishte qenë udhëtimi i fundit diplomatik i nivelit të lartë nga ana e administratës së presidentit në largim të SHBA-së, Donald Trump.

Sipas njoftimit, anulimi është bërë për të ndihmuar “një proces tranzicioni të qetë dhe të rregullt” në administratën e ardhshme presidenciale.

Pompeo pritej të takohej me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe udhëheqësit belgë dhe të zhvillojë një vizitë të shkurtër në Luksemburg.

Vetë Pompeo u vu nën kritika pasi në mesin e polemikave mbi humbjen e Trump-it në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit ai tha se presidenti do të shërbente edhe për një mandat të dytë.

Pompeo ka dënuar dhunën e kryer nga mbështetësit e Trump-it në Kongres, ku mbetën të vdekur pesë persona. Protestuesit e dhunshëm pro-Trump hyn në Kongres në kohën kur po certifikohej rezultati i fitores së Biden- it.

Back to top button