Milanoviq: Serbia duhet të njohë Kosovën që të lehtësojë jetën në Ballkanin Perëndimor
Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq në fjalimin e tij në Forumin e Prespës në Ohër ka theksuar nevojën e njohjes së ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë.
Milanoviq tha se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës, por edhe BE-së të vazhdojë me procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor për të stabilizuar këtë pjesë të Evropës për shkak të luftës në Ukrainë.
“Shtetet e krahut lindor janë të ekspozuara ndaj ndikimit qëllimkeq të propagandës ruse, si Gjeorgjia, Moldavia dhe Bosnja. Këtu do të përmend edhe dy shtete të tjera, Kosovën dhe Serbinë, të cilat nuk e njohin njëra tjetrën, por janë pjesë e Ballkanit Perëndimor. Ato duhet të njihen reciprokisht përndryshe nuk do të ketë lëvizje përpara.. Kancelari gjerman Olaf Scholz vizitoi Serbinë dhe duke përmendur kushtet tha se Serbia duhet të njohë Kosovën që të lehtësojë jetën në Ballkanin Perëndimor. Presidenti Vuçiq reagoi duke thënë se ky nuk ishte deri tani kusht. Ju them se kjo nuk do të kalojë lehtë, nuk është inkurajuese, por siguria nënkupton njohje të ndërsjellët andaj edhe këtu duhet të përqendrohemi dhe të përçojmë mesazhin deri te Serbia se duhet të bëjë zgjedhjen, se ky problem duhet të zgjidhet”, ka deklaruar Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?