Miliona ukrainas pa energji pas sulmeve të fundit në infrastrukturën civile
Rreth 4.5 milionë konsumatorë ukrainas po përballen me ndërprerje të energjisë elektrike të enjten në mbrëmje, sipas presidentit Volodymr Zelensky.
Familjet në të gjithë vendin janë shkëputur përkohësisht nga furnizimi me energji sipas një orari emergjence që synon stabilizimin e rrjetit të brishtë elektrik të vendit. Rusia ka bombarduar dhe shkatërruar infrastrukturën civile , duke sjellë frikën e një dimri të ftohtë dhe të errët .
Shumica e njerëzve janë prekur në kryeqytet, Kiev, dhe nëntë rajone të tjera: Dnipropetrovsk, Zhytomyr, Zaporizhzhia, Sumy, Kirovohrad, Kharkiv, Chernihiv, Khmelnytskyi, Cherkasy. Ndërprerjet e energjisë elektrike janë të mundshme edhe në zona të tjera, transmeton rtv21.tv.
“Vetë fakti që Rusia i është drejtuar terrorit kundër sektorit të energjisë tregon dobësinë e armikut. Ata nuk mund ta mposhtin Ukrainën në fushën e betejës dhe për këtë arsye ata po përpiqen të thyejnë popullin tonë në këtë mënyrë,” tha Zelensky.
Aleatët perëndimorë të Kievit kanë dënuar fokusin e Rusisë në çmontimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës përpara dimrit.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të enjten se vendet e G7 kanë një “detyrë morale” për të ndihmuar Ukrainën./21Media