Mbi 80 minatorë të ndërrimit të dytë mbrëmë janë ngujuar në horizontin e 10-të të Minierës së “Trepçës” në Stantërg.

E sot atyre iu janë bashkuar edhe mbi 150 minatorët e ndërrimit të parë e të cilët do të qëndrojnë të ngujuar aty derisa të marrin pagat e muajit tetor.

Për të njëjtat motive, në grevë kanë hyrë edhe minatorët e minerës në Artanë.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Minierës së Artanës, Blerim Ymeri, ka thënë për portalin rtv21.tv se edhe ndërrimi i parë i punëtorëve kanë hyrë në grevë, mirëpo ai tha se minatorët kanë dalur jashtë për ta vazhduar grevën pasi që brenda minerës po bënë ftohtë.

“Ndrrimi i tretë mbrëmë u nguju në minierë sot ju ka bashkangjit edhe ndërrimi i parë, po për shkak kohës së ftohtë në minierë kemi dalë jashtë, pra jemi jashtë minierës jo në minierë”, ka thënë Ymeri për portalin rtv21.tv..

Minatorët thonë se do të vazhdojnë grevën derisa Qeveria t’i ekzekutojë pagat e tyre të muajit tetor.

Kurse të premten që lamë pas (13.11.2020) kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, zëvendësministrin e Financave, Agim Krasniqi si dhe përfaqësuesit e Bordit të Përkohshëm të “Trepçës”, mbajti një konferencë për media, në të cilën bëri të ditur ndarjen e 1.1 milion eurove për ndërmarrjen “Trepça”./21Media