Ministrat kërkojnë të mos krijohet panik, vaj ka!

U fotografuan dhe u incizuan pranë mijëra shisheve me vaj gatimi. Të paketuara dhe të përgatitura që të shpërndahen nëpër raftet e marketeve. Në këtë mënyrë ministrat Kreshnik Bekteshi dhe Lupço Nikollovski duan t’i sigurojnë qytetarët se ka mjaftueshëm vaj.
“Me vendimet e fundit të Qeverisë, të cilat sillen në përputhje me analizat e sakta mes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë së Ekonomisë së Ujërave dhe Ministrisë së Ekonomisë, tashmë filloi të importohet vaj i rafinuar për gatim nga fqinjët tanë, por jo vetëm kjo, duke pasur parasysh se është hequr norma doganore, filloi importi edhe nga vendet e tjera ku norma doganore ishte 29%”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut.
Është shtuar edhe prodhimtaria vendase, pohojnë ministrat, prandaj, siç shtojnë nuk ka vend për panik. Nevojat e tregut vendor do të jetë tërësisht të plotësuara.
“Qeveria në seancën e djeshme solli vendim për shpalljen e konkursit për dhënien e 5.720 hektarëve në 14 komuna dhe rajone ku mund të kultivohet luledielli dhe drithërat. Kjo shpallje është me këtë qëllim”, tha Lupço Nikollovski, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
Duke marrë parasysh se vaji për gatim po vjen nga Serbia, autoritetet thonë se prej nesër dhe pasnesër në markete do të ketë sasi të mjaftueshme. Megjithatë, një litër vaj për ushqim do të shitet me çmim prej 2,2 deri 2,4 euro. Çmimi maksimal që mund ta arrijë vaji për ushqim është 2,5 euro përkatësisht 150 denarë. Pas festave, çmimi duhet të stabilizohet.
“Pas festave çmimi do të stabilizohet dhe nëpër markete do të ketë vaj për ushqim. Qytetarët nuk duhet të blejnë rezerva, në tregun do të ketë vaj dhe çmimi do të jetë i qëndrueshëm”, pohoi Goran Llazov, drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Bllagoj Gjorev”.
Sa për ngushëllim, Llazov thotë se vaji për ushqim në Bullgari kushton 180 denarë ndërsa në Greqi rreth 4 euro ose 240 denarë. Për shkak se qytetarët kohëve të fundit blinin sasi të mëdha të vajit, Ministria e Ekonomisë vendosi që ta kufizojë sasinë që mund të blihet, kështu që për momentin një person maksimum mund të blejë 4 shishe vaj për gatim./TV21

Back to top button