Aktakuzë për punëtorët e IT-së që i shkaktuan dëm QKUK-së
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve F.H., L.J. dhe Y.K., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, “më 22.12.2020, të pandehurit, në cilësinë e personave zyrtarë (IT), në QKUK, në bashkëkryerje dhe në kundërshtim me Ligjin me Nr.04/L-042, për Prokurimin Publik, kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo tjetrin, duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që në aktivitetin e prokurimit “Furnizimi dhe montimi i Sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe Integrimi i sistemit të kontrollit të qasjes”, kontratë e nënshkruar në mes të QKUK dhe operatorit ekonomik “Artech”, tërë aktivitetin e kryer në dhjetor të vitit 2020, përfshirë pranimin e mallit, ekzekutimin e punimeve dhe pranimin teknik të punimeve, kanë nënshkruar një raport fiktiv e që ka qenë në kundërshtim me gjendjen faktike, kështu duke i shkaktuar dëm material në shumën prej 104,751.00 €, QKUK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë, po ashtu i njëjti ka propozuar që të pandehurve t’u shqiptohet dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, konform dispozitave të KPRK-së./21Media