Ministri serb krah Rusisë në marshin me shkronjën “Z” në krye

Paralelisht me paradën ushtarake në Moskë, ku të hënën, u shënua Dita e Fitores në Luftën e Dytë Botërore, në Beograd u mbajt manifestimi “Regjimenti i pavdekshëm”, gjatë të cilit u tha se “Serbia dhe Rusia kanë qenë gjithmonë në anën e duhur të historisë”, shkruan gazeta “Danas”.
Edhe ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Nenad Popoviç ishte i pranishëm, transmeton rtv21.tv.
Ai tha se në këtë ditë, më 9 maj, në Luftën e Dytë Botërore të vitit 1945, Gjermania kapitulloi dhe se “kujtojmë fitoren më të madhe të shekullit të 20-të”.
“Gjyshërit tanë e fituan këtë luftë së bashku me vëllezërit tanë rusë”, tha Popoviç.
Ai shtoi se gjenerata e sotme ka për obligim që me të gjitha mjetet politike t’i mbrojë dy vlerat më të mëdha të Serbisë – lirinë dhe pavarësinë.
Qytetarët e mbledhur në kortezhin “Regjimenti i Pavdekshëm” u nisën nga monumenti i Vuk Karaxhiqit drejt Varrezave të Reja dhe Monumentit të Çlirimtarëve të Beogradit.
Në mesin e tyre, përveç Popoviqit, janë edhe ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Boçan-Kharçenko, zyrtar i Partisë Socialiste të Serbisë dhe drejtori i “Srbijagas”, Dushan Bajatoviq, si dhe zyrtari i Dverit, Ivan Kostiq.
Në krye të kolonës është një pankartë e madhe “Regjimenti i pavdekshëm Beogradi” dhe një figurë prej kartoni e presidentit rus Vladimir Putin, si dhe një shkronjë e madhe latine “Z”./21Media

Back to top button