Ministri sindikalist, zëvendësministri biznesmen?
Sipas Zhivkoviq problem paraqet organizimi i këtij këshilli
Nuk shohim arsye përse një sindikalist të mos jetë ministër për punë dhe politikë sociale kur mundet një biznesmen të jetë zëvendëskryeministër. Këtë gjë e porositën sindikalistët në panel diskutimin për përmirësimin e dialogut mes Qeverisë, punëdhënësve dhe sindikatave. Në vitet e fundit mes këtyre tre faktorëve mungon transparenca, ndërsa vërehet që sindikatat nuk angazhohen për përmirësimin e të drejtave të punëtorëve, vlerësojnë ekspertët.
“Është fakt që duhet të gjithë përfaqësuesit e punëtorëve dhe punëdhënësve si dhe Qeveria të gjejnë një mënyrë tjetër për të diskutuar publikisht këto çështje. Nuk është problem këshilli ekonomiko social, problem paraqet organizimi i këtij këshilli”, tha Milan Zhivkoviq.
Të gjithë partitë politike të shumicës parlamentare kanë qenë të ftuara në debatin e sotëm. Oliver Spasovski nga LSDM-ja, deklaroi se për emërimin e një anëtari të sindikatës për ministër të jashtëm do të vendos mandatari, Zoran Zaev.
“Për këtë çështje do të vendos mandatari. Më e rëndësishmja është që sindikatat të jenë në një nivel që do të jetë i denjë për një sindikatë. Të mos kemi sindikatë që është e okupuar nga partia qeveritare, siç është për momentin kryetari i BSM-së por të jetë një sindikatë e pavarur”, theksoi Spasovski.
Përveç postit të ministrit, sindikalistët kërkojnë dhe garanci nga mandatari i ri, Zoran Zaev, që kufiri i moshës për dalje në pension assesi të mos rritet. Ata kërkojnë që të mundësohet rritja e mjeteve për tepricë teknologjike.
“Do të propozojmë që punëtorët në moshën 64 vjeçare të dalin në pension, pa u rritur kufiri në 67 vjet, kjo do të jetë një nga kërkesat tona si dhe do të kërkojmë që edhe ne të jemi të kyçur kur do të bëhen ndryshime në ligjin për marrëdhënie pune. Do të kërkojmë që nga teprica teknologjike në ligjin për marrëdhënie pune në të cilin shkruan 6 paga, ne do të kërkojmë të rritet në 24 paga dhe të kenë të drejtë punëtorët e disa veprimtarive pesë vjet para pensionit të shpallen për tepricë teknologjike”, tha kryetari i Sindikatës Agrare, Zhivko Danevski.
Iniciativa për përfshirjen e sindikatës në Qeveri vjen pas paralajmërimeve që posti i zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike është rezervuar për një përfaqësues të odave ekonomike. Ende nuk dihet se kush do të jetë zëvendësministër për çështje ekonomike, ndërsa në lojë janë Koço Angjushev, Nebi Hoxha dhe Aleksandar Zarkov./21Media
https://www.youtube.com/watch?v=UP1HcPK8_1k
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?