Ministri ukrainas bën thirrje për më shumë armë nga vendet e NATO-s

Ministri i Jashtëm i Ukrainës ka bërë thirrje për më shumë armë nga vendet e NATO-s për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve.
Përpara takimit personal me homologët e tij të NATO-s, Dmytro Kuleba thotë se axhenda e tij është “e thjeshtë” dhe Ukraina ka besim se mënyra më e mirë për të mposhtur Rusinë është me më shumë mbështetje ushtarake, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv.
Kuleba do të takohet me homologët e tij të NATO-s në një samit në Bruksel, si pjesë e diskutimeve të tyre për mënyrën më të mirë për të armatosur Ukrainën kundër sulmeve të reja ushtarake ruse që priten në lindje të vendit.
Duke folur me gazetarët përpara takimit, ai thotë se pa “furnizime të qëndrueshme dhe të mjaftueshme” armësh, fitoret e Ukrainës do të shoqërohen me “sakrifica të mëdha”.
Kuleba shton se sa më shpejt të mbërrijnë furnizimet, aq më shumë jetë dhe qytete do të shpëtohen nga shkatërrimi që bota pa në Bucha.
“Unë u bëj thirrje të gjithë aleatëve që të lënë mënjanë hezitimet e tyre, ngurrimin e tyre, për t’i siguruar Ukrainës gjithçka që i nevojitet, sepse sado e çuditshme që mund të duket, sot armët i shërbejnë qëllimit të paqes”, ka thënë Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba./21Media

Back to top button