Ministria e Arsimit ia shkëput SBAShK-ut kontratën kolektive

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e ka shkëputur kontratën kolektive me SBASHK-un, të nënshkruar më 22 janar të vitit 2021. Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Edona Kutleshi-Maliqaj këshilltare për media në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Ajo ka thënë se kontrata kolektive është shkëputur nga MASHT-i, pasi që sipas tyre kjo kontratë ka pasur “probleme serioze ligjore dhe si e tillë është e pavlefshme”.
“Ministria e Arsimit ka inicuar shkëputjen e kontratës kolektive e nënshkruar më 22 janar 2021. Si Ministri e Arsimit i kemi ftuar përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit që të negociojmë kontratë të re të ligjshme që avancon dhe mbron të drejtat e punëtorëve të arsimit. Në bazë të njoftimeve nga institucionet kompetente, kjo kontratë ka pasur probleme serioze ligjore dhe si e tillë është e pavlefshme. Për këtë kontratë nuk ka pasur asnjë vlerësim ligjor, financiar dhe planifikim buxhetor para nënshkrimit”, ka thënë Kutleshi-Maliqaj për rtv21.tv.
Kontrata Kolektive i siguronte punëtorëve të arsimit mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit për mësimdhënës, shpërblimin jubilar, kompensimin e shujtë dhe benefitet tjera./21Media

Back to top button