Ministria e Drejtësisë i reagon KPK-së: S’do të heshtim ndaj performancës së dobët

Ministria e Drejtësisë sonte ka reaguar ndaj Këshillit Prokurorial dhe Prokurorit të Shtetit se kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Albulena Haxhiu po punojnë me agjenda politike, duke potencuar se asnjëherë nuk do të heshtin ndaj performancës së dobët të gjyqësorit.
Ministria ka potencuar Qeveria është e përkushtuar ndaj reformës dhe ndryshimeve të domosdoshme në sistemin e drejtësisë, në raport me kërkesën e votuesve e nevojën e qytetarëve. “Për këtë qëndrojmë të hapur ndaj bashkëpunimit ndër institucional por, assesi nuk do heshtim ndaj rezultatit e performancës së dobët, që rezulton me veprime e reagime kërcënuese ndaj mirëqenies.”, ka bërë të ditur MD.
Sipas Ministrisë, përbërja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës pasqyron rekomandimet e opinioneve të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropian, kurse reforma e fundit e Këshillit Prokurorial bazohet në Opinionin e Komisionit të Venecias.
“Njësoj kemi bërë edhe me vettingun. Nismat tona janë të bazuara në idenë për drejtësi dhe barazi, kurse reforma bazohet në Kushtetutë e ligj. Të këtillë e duam edhe gjyqësorin – të pavarur në aksion, e me veprim të bazuar në ligj. Qeveria e Republikës së Kosovës dënon veprimet jo të ligjshme e të ndikuara të sistemit gjyqësor dhe këto i ndan me publikun e gjerë.”, është bërë e ditur në njoftim.
Veprimet e pasqyruara në raportet e misioneve ndërkombëtare e shoqërisë civile, që reflektohen në statistika të paraqitura sot gjatë konferencës për media, sipas MD-së,  janë të shkruara dhe të hapura për publikun.
“Sistemi gjyqësor kundërshton këto statistika dhe pretendon në një realitet tjetër. Po kush mund ta dijë cilat janë statistikat e vërteta të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial? Strategjia për Sundimin e Ligjit ka paraparë nevojën dhe ka identifikuar veprimet që shpiejnë te mundësimi i qasjes së Ministrisë së Drejtësisë në statistikat e gjyqësorit. Në këtë mënyrë, përveç qasjes në informacion të plasuar e në kohë reale, Ministrisë natyrisht, nuk do i lejohej veprim tjetër. Qasja është e domosdoshme për planifikim të politikave e në fund, hartim të ligjeve. Deri tani, nuk është ndërmarrë asnjë veprim i sistemit gjyqësor lidhur me mundësimin e qasjes së Ministrisë në statistika. Mos reagim i këtillë përkon me qëndrimet e fuqishme të dy Këshillave që një veprim i këtillë të mos parashihej në Strategjinë për Sundim të Ligjit.”, është shkruar në njoftim.
Ndryshe, Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit, sot gjatë ditës, i kanë reaguar deklaratave të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke i quajtur ato të pasakta e tendicioze.
“KPK shpreh shqetësimin lidhur me riciklimin e vazhdueshëm të deklaratave të pamatura, të paverifikuara ndaj sistemit prokurorial, që po bëhen vetëm për konsum dhe agjendë politike nga ana e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Faktikisht, këto prononcime publike të Kryeministrit dhe Ministres së Drejtësisë për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial. Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale nga viti 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar katër (4) raste, që ka pasur të bëjnë me dhunën seksuale”, është bërë e ditur në reagimin e KPK-së./21Media
|m1\-w|m3ga|m5

Back to top button