Ministria e Ekonomisë paralajmëron aksione për t’i ndalur vjedhjet e rrymës

Kapen 187 konsumatorë duke e vjedhur energjinë elektrike

Ministria e Ekonomisë ka paralajmëruar aksione të vazhdueshme me institucionet e rendit për t’i ndalur vjedhjet e energjisë elektrike.
Sipas kësaj ministrie, vjedhjet e energjisë elektrike janë kosto e papërballueshme për qytetarët, të cilët i paguajnë ato në fatura.
“Kostot e vjedhjes së energjisë elektrike i kushtojnë Republikës e qytetarëve të Kosovës miliona euro në vit. Humbjet Komerciale apo vjedhjet e energjisë elektrike vetëm për vitin 2021, arrijnë shifra aq të larta sa dy blloqet e Termocentralit “Kosova B” duhet të punojnë 31 ditë për t’i mbuluar ato. Këto vjedhje të energjisë elektrike, jo vetëm që janë vepra penale, por janë një kosto e papërballueshme për qytetarët e vendit të cilët i paguajnë këto kosto në fatura. Ministria e Ekonomisë është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse të furnizimit të cilët janë duke organizuar aksione të vazhdueshme me institucionet e rendit për t’i ndalur vjedhjet e energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
Në një fotografi të publikuar nga kjo ministri në Facebook, thuhet se 187 keqpërdorime janë ndalur për një javë./21Media

Back to top button