Ministria e Shëndetësisë po shqyrton masat antiCOVID

Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, deklaroi se masat antiCOVID janë duke u shqyrtuar, por që nuk ka dhënë detaje se kur do të ketë vendim për lehtësim të tyre.
Ajo pasi ka vizituar ekipet mobile të vaksinimit në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, tha se i vetmi sukses për të parandaluar dhe për të mbajtur nënkontroll pandeminë është vaksinimi.
“Edhe pse jemi në një situatë stabile epidemiologjike në vendin tonë, megjithatë prania e variantit delta e cila është e konfirmuar në të gjitha mostrat të cilat janë dërguar për sekonsionim gjenetik mbetet me 100 përqind dominim varianti delta. Kështu që për të parandaluar dhe për të mbajtur nënkontroll përhapjen e COVID-19 në vend rritja e shkallës së vaksinimit e kombinuar me masat parandaluese janë i vetmi sukses që mund ta arrijmë. Sigurisht që masat janë duke u shqyrtuar dhe së shpejti do të informoheni, të gjitha masat propozohen në qeveri nga Ministria e Shëndetësisë pas diskutimeve që i kemi me ekspertët shëndetësor dhe me hisedarët tjerë të cilët janë të përfshirë. Gjithmonë duke e gjetur ekuilibrin më të mirë në mes të shëndetit publik po edhe shëndetit social dhe sektorit të ekonomisë”, tha ajo.
E pyetur se a po e shtyhet vendimmarrja për masat antiCOVID për shkak se në vend do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ajo tha se do të vazhdojnë masat e njëjta ku grumbullimet do të jenë me numër të kufizuar të personave.
“Sigurisht që masat e përgjithshme janë të njëjta në mbarë botën, por secili vend e ka të drejtën të shqyrtojë dhe t’i përshtat ato brenda situatës të cilën e ka në vend. Ne jemi në fushatë zgjedhore, kemi qenë më përpara, tash do të vazhdohet edhe në 21 komuna, do të thotë më shumë se gjysma e Kosovës prapë është në fushatë zgjedhore, do të vazhdojnë masat e njëjta ku grumbullimet do të jenë me numër të kufizuar të personave. Por, më e rëndësishmja është që sa më shumë që vaksinohemi aq më të lirë do të jemi dhe mundësia për të shijuar jetën si më herët do të jetë shumë më e madhe”, tha Gexha-Bunjaku.
Komunat e Kosovës pas rënies së numrit të rasteve të reja me COVID-19 kanë kërkuar largimin e orës policore, shtimin e orarit të punës për gastronominë dhe heqjen e masës për bartje të maskës kur personi është i vetëm.

Back to top button