Ministria ekzekuton subvencione në vlerë rreth 7.7 milionë euro

MBPZHR-ja kishte bërë edhe ekzekutimin e pagesave direkte për 25,870 përfitues tjerë në sektorin e blegtorisë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë ka bërë ekzekutimin e pagesave direkte në vlerë prej 7 milionë e 660 mijë e 607 euro për listën e fundit të përfituesve në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2018.

Në kuadër të listës së fundit, pagesat janë ekzekutuar për 6163 fermerë përfitues të sektorit të blegtorisë, si dhe për përfituesit e pagesave direkte për sipërfaqe dhe për qumësht sipas kategorive të cilësisë për TM2.

Krahas kësaj, muaj më parë, MBPZHR-ja kishte bërë edhe ekzekutimin e pagesave direkte për 25,870 përfitues tjerë në sektorin e blegtorisë, të sipërfaqeve dhe për qumësht sipas kategorive të cilësisë, në vlerë prej 18,525,553.29 euro.

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në programin e sivjetmë kishte paraparë subvencione për grurë, farë gruri, misër, elb, thekër, luledielli, lopë dhe buallica qumështore, dele, dhi, pulari, bletari, derrari, thëllëza,  pemishtet ekzistuese, perimet në fushë të hapur dhe në serra, vreshtat ekzistuese,  bujqësinë organike, si dhe për fidanë të pemëve drufrutore.

Po ashtu, subvencionim ka edhe për akuakulturën, therjet e raportuara të gjedhit, për qumështin sipas kategorive të cilësisë dhe për verën e prodhuar dhe të deklaruar zyrtarisht.

Back to top button