Ministria jep detaje për Planin Strategjik të Arsimit 2022-2026

Në fillim të muajit maj Zyra Kombëtare e Auditmit publikoi gjetjet nga auditimi i performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Bazuar në gjetjet, konkluzioni i auditimit është se në institucionet e përgjegjëse nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e marrëdhënies dhe vlerësimit në përputhje me kërkesat e kurrikulës dhe praktikat më të mira të nxjerra nga Agjencia Evropiane për Sigurimin e Cilësisë.
E sa i përket kësaj zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit,  Iliriana Pylla për portalin rtv21.tv ka bërë të ditur se janë në përfundim të planit në të cilin janë marrë parasysh rekomandimet e raportit të auditimit.
“Plani Strategjik i Arsimit për periudhën 2022-2026 është në fazën e konsultimit të brendshëm dhe në fillim të qershorit do të nxirret në konsultim publik. Në këtë plan janë operacionalizuar shumica e rekomandimeve të dhëna në raportin e audimit. Megjithatë, posa ta marrim zyrtarisht raportin, brenda afatit ligjor ne do ta hartojmë një plan veprimi për t’i adresuar gjetjet e Raportit.”, ka thënë Pylla.
Po ashtu Iliriana Pylla ka pranuar se ka pasur mangësi në organizimin e testit të arritshmërisë, gjë që edhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca në konferencën për media gjatë prezantimit të gjetjeve nga auditimi pat thënë: Rezultatet e testit kombëtar të arritshmërisë janë relativisht të larta dhe ndryshojnë shumë me vlerësimin vjetor që bëhen nga mësimdhënësit Disa nxënës me notën 2 arritën të marrin deri në 84 nga 100 pikë. Nuk ka asnjë dëshmi nëse Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe drejtoritë komunale të arsimit, kanë ndërmarrë ndonjë hap që t’i analizojnë këto dallime, të cilat tregojnë se qëllimi i testit të arritshmërisë nuk është arritur dhe si rezultat mund të demotivojë dhe të nxis një kulturë jo të mirë mes nxënësve.
Lidhur me këtë Pylla për portalin rtv21.tv ka thënë se numri i pyetjeve ka qenë i vogël për të vlerësuar në mënyrë objektive njohurinë e nxënësve në 9 lëndë shkollore, andaj sipas saj këtë vit kanë vendosur që testi i arritshmërisë të organizohet në dy ditë, në vend se një ditë siç ka qenë më herët, ndërsa numri i pyetjeve të rritet nga 100 në 180. “Po ashtu, kemi ndërmarrë hapa për përmirësimin e adminisitrimit të testit, prandaj presim të kemi një rezultat më të besueshëm.”, ka bërë të ditur ajo.
Ajo po ashtu ka paralajmëruar se do të organizohen trajnime të mësimdhënësve për vlerësim./21Media

Back to top button