Ministria tregon rezultatin e analizave pas dyshimit për helmim të pjesëtarëve të FSK-së

Lidhur me dyshimet për helmimin në ushqim të pjesëtarëve të FSK-së, të raportuar javën e kaluar, Ministria e Mbrojtjes ka thënë se rezultatet e ushqimeve kanë rezultuar në parametrat normal dhe jo të dëmshme.
“Pas marrjes së informacionit, Ministria e Mbrojtjes, përmes Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së, ka angazhuar strukturat e saj përgjegjëse për të menaxhuar çështjen e raportuar. Në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Shëndetësisë Publike të Kosovës janë realizuar analizat fiziko –kimike dhe mikrobiologjike të mostrave të ushqimit të konsumuar të pjesëtarëve me simptome. Bazuar në rezultatet e këtyre analizave, Inspektorati Sanitar i Kosovës i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në procesverbalin nr. 0001375, të datës 13.04.2022, njofton se rezultatet e ushqimit kanë rezultuar në kufijtë (parametrat) normal dhe jo të dëmshme, si dhe në mostrat e analizuara nuk janë izoluar baktere patogjene”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Kujtojmë që, në fillim të muajit prill ishte raportuar për helmimin e pesë pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga ushqimi./21Media

Back to top button