Ministrja Zhiviq mori pjesë në inaugurimin e qendrës “Biofruti”

Zhiviq theksoi se gratë në Kosovë paraqesin faktor relevant në prodhimtarinë bujqësore

Ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Zhiviq sot mori pjesë në inaugurimin e qendrës për grumbullimin e bimëve mjekësore dhe aromatike “Biofruti” në Kaçanik, në pronësi të Zarije Malesi.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe drejtoresha e USAID-it Lisa Magno, zëvendës-shefe e misionit të SHBA-së në Kosovë, Collen Hyland, si dhe përfaqësues të Komunës së Kaçanikut.

Zhiviq me këtë rast theksoi se gratë në Kosovë paraqesin faktor relevant në prodhimtarinë bujqësore dhe përbëjnë gati gjysmën e fuqisë punëtore në Kosovë.

Ajo gjithashtu theksoi se do të vazhdojë të përkrahë të gjitha gratë nga zonat rurale, të cilat do të marrin shembull Zarije Malesi. Ajo udhëzoi ato që t’i shfrytëzojnë mundësitë për realizimin e përfitimeve të projekteve të tyre nga Programi i Zhvillimit Rural, si dhe nga programet tjera nga organizatat e huaja donatore për zhvillimin e bizneseve të tyre me qëllim të përmirësimit të mirëqenies private e gjithashtu edhe të biznesit, duke mundësuar kështu krijimin e vendeve të punës.

“Programi për Bujqësi dhe Zhvillim Rural ka përgatitur politika përkrahëse për gratë të cilat merren me prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore, në mënyrë që të inkurajohet dhe të forcohet roli i gruas në biznes duke i ndihmuar kështu zhvillimit të tyre ekonomik dhe social”, tha Zhiviq.

Back to top button