MINT hap zyrat për regjistrimin e bizneseve në Mitrovicën e Veriut
Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) nënshkroi sot memorandum bashkëpunimi me Komunën e Mitrovicës Veriore përmes të cilit do të konsolidohet zyra e ARBK-së brenda kësaj komune, ku bizneset e reja do të mund të regjistrohen dhe të kryhen shërbime tjera për bizneset.
Nënshkrimit të memorandumit i parapriu takimi në mes ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe kryetarit të Mitrovicës Veriore Erden Atiq, gjatë të cilit u diskutuan mundësitë përmes skemave të ndryshme mbështetëse për zhvillim të bizneseve nga kjo komunë.
Ministrja Hajdari dhe kryetari Atiq u dakorduan për bashkëpunim sa më të afërt dhe për shtrirje të mbikëqyrjes së tregut nga ana e Inspektoratit Qendror të Tregut, ku së shpejti do të funksionalizohet edhe zyra për inspektorët që do të zhvillojnë aktivitetin në komunën e Mitrovicës Veriore.