Minxhozi thotë se vonesat në kufi janë minimale

Minxhozi thotë se vonesat në kufi janë minimale

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në një intervistë telefonike me kp deklaroi se qytetarët nuk kanë nevojë që të bëjnë panik rreth furnizimeve me produkte bazike pasi nuk ka asnjë problem në qarkullimin e mallrave.

Ai tha se brenda 24 orëve rreth 190 maune hyjnë dhe dalin përmes kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa shtoi se Porti i Durrësit është në shërbim të të gjitha kompanive kosovare që të marrin mallra nga cilido vend në botë.

“Nuk ka asnjë problem për qarkullimin e mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës. Brenda 24 orëve qarkullojnë diku te 190 maune dhe po kaq sa vijnë edhe dalin. Porti i Durrësit është në efiçencë të plotë, Kosova i ka të gjitha mundësitë për të marrë mallra nga bota perëndimore, nga Kina, nga çdo vend i botës që kompanitë kosovare kanë kontrata. Nuk ka asnjë problem në këtë drejtim dhe çdo gjë është në suaza normale”, tha Minxhozi.

I pyetur nëse ka vonesa në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë për shkak edhe të kontrolleve mjekësore, Minxhozi deklaroi se vonesat janë shumë minimale dhe nuk ka shqetësime të tilla as nga bizneset.

Sipas tij, tashmë situata në kufi është edhe më e qetë për shkak se nuk ka mjete të tjera që presin, ndërsa situata e ngjashme është edhe në Rrugën e Kombit që sipas Minxhozit mbretërit e autostradës janë vetëm maunet.

Ambasadori i Shqipërisë u shpreh se qytetarët nuk duhet të bëjnë panik pasi ka furnizime që po vijnë edhe në Portin e Durrësit që kanë destinacion Kosovën.

Ai bëri edhe një pasqyrim të situatës në Shqipëri për shkak të virusit COVID-19, ndërsa apeloi qytetarët në të dy anët e kufirit që të tregohen të kujdesshëm gjatë kësaj kohe dhe të marrin masat e rekomanduara.