Miqësorja e nesërme kundër Maqedonisë së Veriut, Kosova optimiste për fitore

Kombëtarja e Kosovës në kategorinë e femrave ka zhvilluar sot seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së nesërme miqësore kundër Maqedonisë së Veriut në Shkup.
Vashat kosovare përgjatë tre ditëve stërvitje kanë praktikuar gjëra të ndryshme, të cilat u kanë ndihmuar që të përmirësohen në stilin e lojës.
Futbollistet, Erëleta Memeti dhe Lavdije Behramaj, u shprehën optimiste për ndeshjen si mysafire kundër kundërshtareve maqedonase, ndërsa pohuan që atmosfera brenda kampit të Kombëtares është pozitive.
Ndërkaq, trajnerja Karin Annel Andersen tha se gjatë këtyre stërvitjeve kanë praktikuar ushtrime të ndryshe si në sulm ashtu edhe në mbrojtje por që nesër më shumë do të luajnë në sulm.
“Gjendja e futbollisteve në grup është e ndryshme pasi që dikush vjen nga ndeshjet që kanë zhvilluar në fundjavë në ekipet e tyre respektive, ndërsa të tjerat vijnë nga pushimet verore por që sa herë luajmë si Kosovë punojnë shumë si ekip për t’u përmirësuar dhe për të fituar ndeshjet sigurisht”, tha Andersen.
Në anën tjetër, për kundërshtarin, Andersen tha se është ekip i mirë dhe është i fortë në sulm, prandaj sipas saj 90 minutat e miqësores së nesërme nuk do të jenë aspak të lehtë.

Back to top button