Miratimi i vaksinës ruse, Rusia vë në pikëpyetje neutralitetin evropian

 

 

Zhvilluesit e vaksinës ruse “Sputnik V” kundër koronavirusit e vunë në pikëpyetje neutralitetin e Agjencisë Evropiane të Ilaçeve, pasi një zyrtare e kësaj agjencie u bëri thirrje vendeve të BE-së që të përmbahen nga miratimi i kësaj vaksine tash për tash.

Kryetarja e bordit menaxhues të Agjencisë Evropiane të Ilaçeve, Christa Wirthumer-Hoche, tha për një televizion austriak se do t’i këshillonte shtetet e Bashkimit Evropian kundër autorizimit për përdorim emergjent të vaksinës “Sputnik V”, sepse agjencia ende është duke i vlerësuar sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës.

“Kërkojmë një kërkimfalje publike nga Christa Wirthumer-Hoche e Agjencisë Evropiane të Ilaçeve për komentet e saj negative, të cilat ngrenë pyetje serioze rreth ndërhyrjes së mundshme politike në vlerësimin që po vazhdon të kryhet nga kjo agjenci”, shkruan në rrjetet sociale zhvilluesit e vaksinës ruse.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se komentet e zyrtares evropiane janë për keqardhje dhe jo të duhura, përcjell rtv21.tv

Në anën tjetër, zyrtarët e Agjencisë Evropiane të Ilaçeve nuk kanë qenë të qasshëm për koment. Rregullatori tha se këtë muaj do t’i rishikojë të dhënat për testimet e vaksinës derisa të ketë dëshmi të mjaftueshme për aplikim zyrtar të autorizimit.

Një zëdhënëse e Departamentit Amerikan të Shtetit, tha se SHBA kanë identifikuar 3 botime të drejtuara nga zbulimi rus që përhapnin informacione të rreme për vaksinat Pfizer dhe Moderna. Por këto akuza janë mohuar nga Kremlini.

Zhvilluesit e vaksinës ruse thanë se “Sputnik V” tashmë është miratuar për përdorim nga 46 shtete. Vaksina është miratuar ose është duke u vlerësuar për miratim edhe në Hungari, Sllovaki dhe Çeki, vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Kompania Adienne Pharma & Biotech me qendër në Zvicër do të prodhojë vaksinën e koronavirusit të ri “Sputnik V” të Rusisë në Itali, duke shënuar marrëveshjen e parë evropiane të prodhimit për vaksinën ruse.

Duke cituar Odën e Tregtisë Italo-Ruse, agjencia italiane e lajmeve Adnkronos tha se kompania dhe Fondi rus i Investimeve të Drejtpërdrejta kanë nënshkruar një marrëveshje në këtë drejtim.

Sipas marrëveshjes, kompania do të jetë në gjendje të fillojë prodhimin në korrik dhe të prodhojë 10 milionë doza deri në fund të vitit 2021.

Agjencia Evropiane e Barnave, rregullatori i barnave i Bashkimit Evropian, më 4 mars njoftoi se kanë filluar shqyrtimin e vaksinës “Sputnik V”./21Media

Back to top button