Miratohet në parim Projektligji për prokurorin e shtetit

Synohet avancimin e mëtejshëm i legjislacionit

Kuvendi i Kosovës me 61 vota për ka miratuar në parim Projektligjin për prokurorin e shtetit. I njëjti u konsiderua i domosdoshëm nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo tha se përmes tij synojnë avancimin e mëtejshëm të legjislacionit lidhur me sistemin prokurorial.
“Synojmë avancimin e mëtejshëm të legjislacionit lidhur me sistemin prokurorial. Reformat në sistemin e drejtësisë janë të nevojshme me qëllim që të rrisin integritetin brenda sistemit, por edhe efikasitetin, përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe etikën. Strategjia për sundimin e ligjit, por edhe rishikimi funksional i sistemit të drejtësisë kanë paraparë ndryshime ligjore në Ligjin për Prokurorinë e shtetit me qëllim të përmirësimit të qëllimit të cekuar më herët”, tha Haxhiu.
Megjithëse i dha përkrahje në parim këtij projektligji, deputeti i LDK-së Driton Selmanaj tha se në mes të dy leximeve duhet të përcaktohen afate për presidentin e vendit për emërimin e kryeprokurorit të shtetit.
“Domosdoshmërinë që ne të përcaktojmë afate për presidentin e vendit për emërimin e kryeprokurorit të shtetit. Tani jemi dëshmitar me presidenten Osmani, nuk është hera e parë, ka pasur edhe me presidenten Jahjaga që ka pasur një periudhë gati 7 muaj, organi kryesor i akuzës ka mbetur pa kryeprokuror. Ky boshllëk ligjor i ka mundësuar presidentëve që të abuzojnë me këtë mundësi dhe të lënë organin kryesor të akuzës pa udhëheqje. Është e domosdoshëm që të përcaktohen afatet që brenda një periudhe presidenti të jep vlerësimin e vet ose të dekretojë kryeprokurorin ose të refuzojë”, tha ai.

Back to top button