Miratohet projektligji për skemat pensionale të financuara nga shteti

(Lajm i përditësuar)

Miratohet projektligji për skemat pensionale të financuara nga shteti

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, të enjten në mbrëmje.

Ky projektligj u miratua në lexim të dytë me 62 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në seancën e 27 korrikut.

Për të hyrë në fuqi, projektligji pas miratimit në Kuvend duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit.

​Kuvendi miraton në lexim të parë Projektligjin për skemat pensionale

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti. Për këtë projektligj votuan 76 deputetë, përfshirë edhe nga dy partitë opozitare, LDK dhe AAK, megjithëse shprehën shqetësime se në këtë projektligj ka dispozita diskriminuese për punëtorët e viteve ‘90-ta që janë larguar nga puna në mënyrë të dhunshme.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, tha se Projektligji për skemat pensionale nuk është sjell në Kuvend sipas obligimeve që rrjedhin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Pensioni parcial dhe jo sipas obligimeve që rrjedhin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është kjo që ju po e prezantoni. Ky Projektligj dëmton edhe punëtorët e larguar nga puna në vitet e 90-ta. Pasi ju njeh vetëm stazhin por jo edhe kontributet siç është rasti me punëtorët e arsimit të vitit 1990”, tha ai.

Kritike u shpreh edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se prap ka kushte për ata që nuk e arrijnë nivelin prej 15 vjetësh përvojë pune.

“Prapë do të ngelet një lloj diskriminimi, për shkak se prapë është një kusht që thotë se shuma e periudhës e kontributeve të paguara sipas paragrafit 2.2 dhe periudhës të largimit të dhunshëm nga puna sipas paragrafit 2.3 deri më 1 janar 1999 bashkërisht arrin nivelin prej 15 vjetësh. Çka do të ndodh me ata që nuk e arrijë nivelin prej 15 vjetësh”, tha ajo.

Në linjë të njëjtë u shpreh edhe deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.

“Projekt-propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat sociale kontributdhënëse është i pjesshëm dhe nuk i plotëson as rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Ky ligj si i një rëndësie të veçantë do të duhej të përfshinte dhe t’i largonte diskriminimin e bëra deri më sot. Largimin e limitimit në 15 vjet për kontributdhënie kjo që gjendet ende në këtë projekt-propozim”, deklaroi ai.

Por, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, e tha të kundërtën e deputetëve.

Sipas tij, përmes të njëjtit, rregullohet diskriminimi për pensione që u është bërë personave të larguar dhunshëm nga puna në vitet e 90’ta.

“Jemi munduar që në mënyrën më të mirë të mundshme ta adresojmë këtë çështje dhe e kemi sjell këtë projektligj I cili më në fund e rregullon çështjen e diskriminimit të atyre që nuk kanë mundur pa fajin e tyre të plotësojnë kriterin prej 15 vite përvojë pune dhe të llogaritet si pension kontribut-pagues. Ka pas iniciativa edhe më herë u tha, mirëpo, më lejoni të iu rikujtoj që ato iniciativa me sa më kujtohet kanë paraparë që ndikimi buxhetor kanë paraparë të jetë 3-4 milionë euro në vit që nuk ka qenë realiste, tash e kemi një projektligj që është përllogaritur me ndikim buxhetor 60 milionë euro në vit që është dallim substancial”, theksoi ai.

Krahas kësaj, Kuvendi me mocion votoi që në orën 19:00 në seancë të jashtëzakonshme të shqyrtohet në lexim të dytë projektligji për plotësim-ndryshimin e skemave pensionale të financuara nga shteti.

Back to top button