Miratohet vendimi për ndarjen e shtesave për fëmijë dhe pensionistë

Qeveria e Kosovës ka miratur shqyrtimin e propozim-vendimit për ndarjen e shtesave të njëhershme në vlerë prej 100 euro për fëmijët 0-16 vjeç dhe pensionmarrësit.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Qeveria është e përkushtuar se atëherë kur ka rritje ekonomike e të hyra buxhetore ato të rishpërndahen tek ata që më së shumti kanë nevojë.
“Andaj të dashur fëmijë, të gjithë ju nga mosha 0-16 vjeç dhe të cilët jeni pranues të shtesave për fëmijë edhe sivjet do t’i përfitoni nga 100 euro secili. Mbështetjen shtesë nga 100 euro do ta marrin edhe të gjithë pensionmarrësit e kualifikuar”, ka thënë Kurti.
Ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se nga ky vendim përfitojnë 700 mijë qytetarë. Ai ka sqaruar se të gjitha skemat pesnionale janë të përfshira dhe do të përfitojnë nga ndihma 100 euro dhe ka sqaruar se kush s’mund të jetë përfitues nga kjo skemë.
“Dua të japë edhe një sqarim se ka pasur edhe hamendje, nëse janë të përfshira edhe skemat e tjera përveç pensionit të moshës, janë të përfshira të gjitha skemat e tjera janë të përfshira edhe kategoritë e luftës dhe me aftësi të kufizuara. I vetmi kusht dhe kriter është që s’mund të përfitojë dikush që është përfitues i më shumë se njërës skemë, s’mund të përfitojë dy herë, por vetëm nje herë. Ndërkaq kriteri tjetër është që të ardhurat nga skemat e shtetit duhet të jenë nën 700 euro në muaj, në mënyrë që të mos kemi mbështetje edhe për ata që e kalojnë këtë nivel. Mjetet tashmë janë ndarë. Bëhet fjalë për 700 mijë përfitues. Është mbështetje voluminoze”, ka sqaruar Murati