Mirëpriten masat e propozuara për sektorin privat

Kërkohet  sqarim konkret për masat e marra për sektorin privat

Organizatat që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, mirëpresin njoftimin e sotëm të Ministrisë së Financave dhe Transfereve për pakon e propozuar të masave preliminare në mbështetje të sektorit privat.

Në të njëjtën kohë, organizatat e sipërcekura nëpërmjet një komunikate kërkojnë sqarim konkret për sa i përket mekanizmave të implementimit të masave të propozuara të intervenimit.

“Duke vlerësuar se masat e paralajmëruara sot adresojnë nevojat e menjëhershme të ndërmarrjeve të afektuara nga masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, organizatat e biznesit shprehin besimin se Qeveria në detyrë do të hartojë një program gjithëpërfshirës likuiditeti i cili do të ndihmojë në rikuperimin nga pasojat me të cilat do të ballafaqohet sektorit privat edhe pas përfundimit të pandemisë COVID-19.”, thuhet në njoftim.

Odat ekonomike përsërisin zotimin e tyre për partneritet konstruktiv me Qeverinë në detyrë dhe institucionet e tjera të vendit me qëllim të minimizimit të ndikimit negativ në ekonominë e vendit, përmes mbijetesës së ndërmarrjeve private dhe ruajtjes së vendeve të punës, për të cilat vendi ka shumë nevojë.

Ministria e Financave ka propozuar që t’i ndajë gjithsej 73 milionë euro për bizneset private ./21Media

Back to top button