Mirëpritet vendimin për dasmat: Do të respektojmë çdo manual të MSh-së

 

Përfaqësues të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit kanë zhvilluar një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia përkitazi me zbutjen e masave të cilat përfshijnë edhe lejimin e ahengjeve të ndryshme familjare, përfshirë edhe dasmat.

Pas takimit përfaqësues të OHT-së u shprehen optimistë se nga data 15 qershor do të rifillojnë të punojnë.

Këngëtari, Afrim Muçiqi tha se me ministrin Vitia u morën vesh që të formojnë grupet punuese për të nxjerr një manual i cili do të respektohet në përpikëri nga të gjithë operatorët ekonomikë.

“Përfundimisht deri më datën 15 qershor do të punojnë grupet punuese në mënyrë që të bëhet një manual, i cili ka me qenë i respektuar nga të gjitha bizneset. Do të ketë manual për sallat e dasmave, do të ketë manual për pishinat, për klubet e natës. Kështu që është një lajm i mirë për të gjithë kurbetqarët që vijnë në Kosovë dhe për të gjithë qytetarët të cilët i kanë prit ndoshta me vite që t’i kryejnë ato ahengje të shenjta të tyre familjare”, tha ai.

Ai tha se ende nuk është vendosur se cili do të jetë numri optimal për praninë e mysafirëve në dasma, megjithatë siguroi se çfarëdo numri që e cakton MSh-ja dhe IKSHPK-së për ta do të jetë i pranueshëm.

“Numrin e personave pjesëmarrës do ta caktojnë profesionistët e grupit punues. Çfarëdo numri që e cakton MSh-ja dhe IKSHPK-së për neve do të jetë i pranueshëm”, tha ai.

Në qoftë se nuk respektohen manualët e përcaktuar nga institucionet shëndetësore, Muçiqi tha se do të rikthehen në gjendjen e mëparshme.

Ndërsa kryetari i OHT-së, Hysen Sogojeva tha se të premten Qeveria do të miratojë këto masa, e të cilat pritet të hyjnë në fuqi nga e hëna e ardhshme.

“Sa i përket masave të reja të premten pritet që Qeveria të merr vendim, ndërsa prej të hënës pritet që të hyjnë në fuqi”, tha Sogojeva.

Kujtojmë se kryetarët e komunave gjatë ditës kanë mbajtur një takim koordinues me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për të diskutuar rreth procesit të vaksinimit dhe masave të reja.

Sipas Asociaconit të Komunave, në këtë takim u vendos që së shpejti të hiqet ora policore dhe të lejohen ahengjet me fillimin e sezonit.

Kjo thuhet se u mirëprit nga kryetarët e komunave të cilët vlerësuan të drejtë kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës ditë më parë për heqjen e orës policore dhe lehtësimin e masave meqë këto do të kenë ndikim direkt në zhvillimin ekonomik lokal.

Back to top button