Misioni i OSBE-së publikon raport mbi praktikën e masës së paraburgimit në gjykatat e Kosovës

Misioni i OSBE-së në Kosovë do të publikojë nesër në Prishtinë raportin e fundit të monitorimit të gjykimeve mbi masën e paraburgimit.
”Raporti analizon 70 seanca dëgjimore të paraburgimit në mbarë Kosovën për pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe gjykimit të drejtë. Përveç identifikimit të çështjeve që lidhen me zbatimin e masës së paraburgimit, raporti ofron rekomandime specifike për institucionet përkatëse”, bëhet e ditur në njoftimin e dërguar për media.
Gjatë konferencës, pjesëmarrësit do të mund të mësojnë më shumë rreth gjetjeve kryesore të raportit dhe të marrin qëndrimet e përfaqësuesve të lartë të sistemit të drejtësisë në Kosovë rreth kësaj teme.
Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Albert Zogaj, Kryetari i Gjykatës Supreme Fejzullah Rexhepi dhe Prokurorja Sevdije Morina do të mbajnë fjalë hyrëse, që do të pasohet nga një seancë për pyetje dhe përgjigje.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?