Mitsotakis – Blinken dakordohen për vazhdimin e bashkëpunimit Greqi-SHBA në fushën e mbrojtjes

Një pasqyrë e përgjithshme e marrëdhënieve Greqi-SHBA, si dhe një shkëmbim pikëpamjesh mbi çështje ndërkombëtare dhe rajonale, dominoi takimin mes kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe sekretarit të Shtetit Antony Blinken të shtunën në Chania të Kretës.

Kryeministri grek priti diplomatin e lartë amerikan në shtëpinë e tij në Chania dhe pas një takimi privat, pasoi një takim i zgjeruar pune.

Gjatë takimit u diskutua mbi raportet ndërmjet dy shteteve dhe u konfirmua se në kuadër të nivelit të shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve, do të ketë hapa të mëtejshëm pozitivë të bashkëpunimit në mbrojtje në periudhën e ardhshme.

Mitsotakis dhe Blinken shkëmbyen mendime edhe mbi çështje ndërkombëtare dhe rajonale me fokus zhvillimet në Lindjen e Mesme. Mitsotakis shprehu shqetësimin e tij në rritje për situatën humanitare në Gaza dhe rreziqet e zgjerimit të krizës dhe pasojave të saj për stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

Ai ritheksoi nevojën për një fluks të papenguar të ndihmave humanitare në Gaza dhe nënvizoi se zgjidhja mund të jetë vetëm politike, bazuar në zgjidhjen me dy shtete në përputhje me rezolutat e OKB-së.

Në takim u diskutua edhe mbi zhvillimet në Ukrainë, me ç’rast sekretari Blinken shprehu falënderimet e tij për mbështetjen e Greqisë dhënë Kievit zyrtar që nga fillimi.

 

Po ashtu, u diskutua edhe mbi situatën në Mesdheun Lindor. Kryeministri grek ritheksoi qëndrimin e vendosur të Greqisë në favor të zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore bazuar në të drejtën ndërkombëtare, parime që garantojnë stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

Në takim morën pjesë edhe ministri i Jashtëm Giorgos Gerapetritis, zëvendësministrja e Jashtme Alexandra Papadopoulou, drejtoresha e Zyrës Diplomatike të Kryeministrit, ambasadorja Anna Maria Boura dhe këshilltarja speciale e kryeministrit për Politikën Ndërkombëtare e Diplomacinë Publike, Aristotelia Pelon

Back to top button