Pas denoncimit të “Lule Gjeli”, Deliu-Kodra kërkon hetim të plotë

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra ka denoncuar në Prokurorinë Speciale profilin “Lule Gjeli”.
Pas denoncimit në një deklarim për media, ajo tha se kërkoi nga Prokuroria dhe institucionet e drejtësisë të hetohet ky profil dhe të gjitha profilet tjera fallco.
“Kam kërkuar nga Prokuroria Speciale që të hetohet në detaje ky profil, të hetohet veprimtaria e tij. Natyrisht kam kërkuar nga institucionet e drejtësisë të trajtojmë çdo profil që merret me linçim, nxit urrejtje sepse viteve të fundit ajo që kemi parë si shtet dhe si institucione, kemi parë një përhapje të skajshme të gjuhës së urrejtjes ndërkohë që ka pasur edhe cenim të sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Kodra Deliu.
Ajo foli për rëndësinë që ka që institucionet e drejtësisë të merren me këtë rast.
“Dua të falënderoj gatishmërinë e institucioneve të drejtësisë që te merren dhe trajtojnë këto raste, të cilat në botë kanë pasur pasoja. Beteja me lajmet e rreme në botë vazhdon të jetë një temë e rëndësishme e cila është në fokus të mediave ndërkombëtare”, tha ajo.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?