Mjekët e rinj e vlerësojnë lartë organizimin e Kongresit të parë klinik të kirurgëve shqiptarë

Kongresi i parë klinik i kirurgëve shqiptarë, nga mjekët e rinj po vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt përvetësimit të njohurive dhe metodave më të avancuara në fushën e kirurgjisë.
Albrim Rudi, përfaqësues i Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë tha se bashkë më Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës kanë nënshkruar një bashkëpunim e cili sipas tij, ndikon në avancimin e tyre.
“Si Këshill Studentor kemi marr pjesë në organizimin e këtij Kongresi. Në kuadër të marrëveshjes që është bërë dje, nënshkruar nga Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, qëllimi është që studentët të angazhohen në trajnime të certifikuara që ofrohen në kuadër të Qendrës për kërkime, simulime dhe trajnime mjekësore që veçse ka nisur…përfshinë trajnime që studentët mund t’i përcjellin me dhomat e specializuara për simulime që studentët të jenë pjesë e revistës që publikohet nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës të kenë hapësirë te veçantë aty të marrin pjesë në kongrese te tilla dhe te kenë mundësi të prezantojnë programet e tyre”, tha ai.
Rudi për KosovaPress tha se kongreset e tilla si ky i kirurgëve shqiptarë është i nevojshëm për mjekët e rinj dhe avancimin e tyre.
“Këto kongrese janë thelbësor edhe të nevojshme për ne si mjek te rinj për arsye se ne mësojmë shume nga përvoja e kirurgëve tanë dhe ndërkombëtarë që tregojnë dhe mundohemi që njohurit që ata kanë kaluar ti zbatojmë edhe ne në të ardhmen si pjesë e mësimit”, deklaroi Rudi.
Të mërkurën në Prishtinë ka nisur punimet Kongresi i parë i përbashkët klinik i kirurgëve shqiptarë, një ngjarje që bashkon kirurgët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora shqiptare. Paralelisht, po zhvillohet edhe Kongresi i pestë i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, i cili tashmë është bërë një traditë e rëndësishme shkencore dhe profesionale në vendin tonë.
Ky Kongres do të zgjas deri më 28 shtator dhe këtë vit ka sjell së bashku 235 kirurgë, ndër ta 74 ekspertë ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropa dhe rajoni, të cilët do të ndajnë përvojat, inovacionet dhe sfidat më të reja në fushën e kirurgjisë moderne.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?